Edhe Grezda në listë, Xherard tregon bisedën me të padëshiruarit: Duhej të tregohesha i ndershëm

Menaxheri i Eros Grezdës ka filluar të kërkojë prej javësh një sistemim të ri për futbollistin e përfaqësueses shqiptare pasi qartësisht për të nuk do të ketë hapësira në radhët e Rejnxhërs. Këtë e ka lënë të kuptohet edhe Stiven Xherard, i cili ka nisur përgatitjet për sezonin e ri me klubin skocez në Portugali dhe nuk ka shqiptarin si pjesë të grumbullimit.

Trajneri bëri të qartë se ka biseduar me lojtarë të veçantë, mes të cilëve në Skoci janë plotësisht të bindur se është edhe Grezda, për t’u shpjeguar se nuk do të kishin hapësira dhe do të ishte në të mirën e tyre të gjenin një skuadër tjetër për të luajtur rregullisht.

“Unë mundohem të jem i respektueshëm dhe i ndershëm me çdo futbollist. Skuadra është e madhe, kemi 28 futbollistë, nuk ka nevojë të jesh shkencëtar për ta kuptuar që janë shumë.

Më është dashur t’u them njerëzve që nuk do të kishin në dispozicion minutazhin që do t’i kënaqte, nuk është aq brutale sa t’’ thuash ‘largohu sa më shpejt se nuk të respektojmë apo të duam më’. Por një trajneri i duhet që të marrë vendime të vështira për të ndërtuar atë skuadër që mendon se është më e gatshme për të përballuar një sfidë.

Kam pasur biseda të vështira me disa lojtarë por uroj që të më kuptojnë se po mundohem të jem i respektueshëm dhe për t’u dhënë atyre sa më shumë kohë të jetë e mundur që të gjejnë një rrugëtim tjetër’, ishin fjalët e Xherard i cili saktësoi se me disa prej lojtarëve kishte komunikuar që në fundin e sezonit të kaluar.

“Është e lehtë për një trajner të jetë egoist dhe t’i mbajë gjatë para se t’u thotë në fund të merkatos që të largohen. Nuk është e drejtë kështu. Unë dua t’u jap njerëzve mundësinë më të mirë për të gjetur një zgjidhje. Kjo është arsyeja pse ua kam thënë lojtarëve sa më shpejt që mundesha, disa biseda janë zhvilluar që në mbyllje të sezonit të kaluar”, tha ai. Sipas mediave skoceze, për Grezdën pritet interes nga klubet europiane, por jo nga ato në Skoci apo Britaninë e Madhe. /vipsport.al/