E zyrtarizon vetë klubi, “Zorro” është trajneri i ri i Romës

Klubi I Romës më në fund ka zyrtarizuar atë që pritej prej disa ditësh. Paulo Fonseka nga dita e sotme është trajneri i ri i Romës dhe do të drejtojë verdhekuqtë për dy vitet e ardhshme me opsion zgjatjen e kësaj marrëveshje për vitin e tretë.

Klubi bëri të ditur detajet e marrëveshjes me 46-vjeçarin nëpërmjet një komunikate zyrtare, duke i uruar mirëseardhjen trajnerit i cili vinte nga eksperienca te Shakhtar Donjetsk ku ka bindur të gjithë duke krijuar një ekip shumë të këndshëm që dominoi në kampionatin ukrainas dhe arriti rezultate edhe në arenën ndërkombëtare.

“Jam shumë i lumtur që u emërova si trajneri i ri i Romës dhe dua të falënderoj drejtuesit e klubit për mundësinë që më kanë dhënë. Jam entuziast dhe i motivuar nga sfida që na pret dhe pres me padurim të transferohem në Romë, të takoj tifozët tanë dhe të filloj të punoj. Mendoj se bashkë mund të krijojmë diçka speciale”, ishin fjalët e Fonsekës.

Ky i funti ka marrë nofkën “Zorro” për shkak të një episodi të veçantë në Ligën e Kampioneve në vitin 2017. Ai premtoi se do të vishej si personazhi i famshëm televiziv nëse ekipi i tij do të kalonte fazën në grupe dhe pas fitores 2-1 asokohe ndaj Mançester Sitit të Pep Guardiolës, mbajti premtimin e tij duke u paraqitur në konferencën për shtyp pas ndeshjes dhe për intervistat me maskën e zezë në fytyrë. /vipsport.al/