E konfirmon menaxheri në Itali, një rinovim i rëndësishëm te kampionët e Partizanit

Klubi i Partizanit brenda pak ditësh pritet të komunikojë emrin e trajnerit të ri që ka zgjedhur për të drejtuar të kuqtë në Ligën e Kampioneve dhe në sezonin e ardhshëm. Të kuqtë janë fokusuar të tregu i huaj dhe emri me shumë mundësi do të jetë ai i një tekniku italian. Por kushdo që të vijë në kryeqytetin shqiptar, do të gjejë këtu shumë bashkëpunëtorë nga stafi i cili ishte pjesë e të kuqve në vitin nën drejtimin e Skënder Gegës. Një prej tyre do të jetë edhe përgatitësi atletik Korrado Sakone.

Italiani i mbërritur në vendin tonë bashkë me Adolfo Sormanin tre vite më parë, zgjodhi që të qëndronte në Shqipëri të bashkëpunonte me të kuqtë dhe t’i ndihmonte ata të siguronin titullin kampion. Ai është vlerësuar shpesh si një element shumë i rëndësishëm i stafit dhe me sa duket konfirmimi i tij për një tjetër edicion është arritur para se Sakone të nisej për pushime. Konfirmimin e ka dhënë sot në mediat italiane Antimo Di Lorenco, menaxheri i Sakones.

“Është prej tre sezonesh te Partizani, ku ka arritur objektiva të rëndësishëm. Fillimisht arritën të luanin në paraliminatoret e Ligës së Europës e këtë vit fituan për herë të 16 titullin kampion në Shqipëri, me mundësinë për të luajtur në eliminatoret e Ligës së Kampioneve. Do të vazhdojë në Tiranë, ku është në pritje të emërimit të trajnerit të ri”, tha menaxheri. /vipsport.al/

more recommended stories