E konfirmon Interi, sulmuesi vendos të lërë Kosovën për Shqipërinë

Një tjetër futbollist i talentuar ka vendosur t’i japë lamtumirën përfaqësueses së Kosovës për të veshur fanellën kuqezi. Djaloshi i talentuar i Interit, Riad Krasniqi, ka vendosur që të luajë me Shqipërinë dhe që nga fundi i këtij muaji do të vihet nën urdhrat e Nevil Dedes.

Konfirmimi ka ardhur nga vetë klubi i Interit, i cili ka bërë të ditur se futbollisti i datëlindjes 2001, do t’i përgjigjej ftesës së Shqipërisë për t’iu bashkuar kombëtares kuqezi më 27 dhe 28 qershor, në grumbullimin që do të zhvillohej në Tiranë. Krasniqi ka qenë deri pak muaj më parë pjesë e përfaqësueses së Kosovës U19 dhe mori pjesë në disa grumbullime të saj, para se të merrte vendimin për të veshur fanellën kuqezi.

Kombëtarja shqiptare U19 ka dhuruar së fundmi disa rezultate shumë interesante dhe në miqësoret që ka fituar 3-1 dhe 4-1 ndaj bashkëmoshatarëve të Kosovës ka treguar se ka emra të rëndësishëm në repartin e avancuar si Broja e Muçi. Me afrimin e Krasniqit, Dede do të ketë edhe një armë më shumë për të përdorur në kualifikueset e Europianit të kësaj grupmoshe që zhvillohen në vjeshtë. /vipsport.al/