E komunikon vetë Shehi, trajneri i jep lamtumirën Skënderbeut

Orges Shehi nuk do të jetë më trajneri i Skënderbeut në sezonin e ardhshëm. Tekniku e ka shprehur vendimin e tij në emisionin ‘Kuqezi’ në ‘Supersport’, ndërsa shtoi se vendimin e ka marrë vetëm në ditët e fundit, ndërsa më gjatë do të flasë në një konferencë për shtyp.

Në këtë formë, pas 9 viteve në Korçë, duke përfshirë edhe vitet si futbollisti, Orges Shehi i jep lamtumirën bardhekuqve.

“Mbyllëm një sezon të vështirë, një vit tranzicioni. Kam dhënë gjithçka atje dhe i falënderoj të gjithë në Korçë. Do flas në një konferencë për shtyp, do shkoj të takoj lojtarët. Kam nëntë vite atje dhe duhet t’i takoj të gjithë, duke nisur nga punëtori i fushës. Është një vendim që e kam marrë ditët e fundit, duke u konsultuar me familjen time”, tha Shehi.