E kërkojnë për trajner në Kosovë e Shqipëri, Nikaj: Nuk është në dorën time, jam peng i një kontrate

Samuel Nikaj është një nga ata trajnerë të rinj të cilët në vitet e fundit kanë marrë lëvdata si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë për punën që kanë bërë. “Eksperti i ngjitjeve” në elitë, ka bërë edhe këtë vit mrekullinë e radhas, pas asaj me KF Flamurtarin e Prishtinës në Kosovë dhe Kastriotin në Shqipëri. Nikaj ngjiti KF Vushtrrinë në elitën e futbollit kosovar në vitin e fundit, por pikërisht kjo arritje në një farë mënyre po mban peng trajnerin.

“Kontrata që kisha me klubin ishte 1+1 dhe rinovohej automatikisht bashkë me rritje rroge në momentin që ekipi siguronte Superligën e Kosovës. Por tërheqja e drejtuesve të klubit nga Vushtrria ka bërë që gjithçka të ndryshojë dhe për momentin të mos e kem të qartë as unë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, shpjegon Nikaj për Vip Sport.

“Vazhdoj apo jo, jam në varësi të asaj kontratë pasi është e rinovuar automatikisht, mbetet në dorën e drejtuesve të rinj të ulemi të diskutojmë se çfarë do të bëhet. Përndryshe duhet gjetur një zgjidhje për ndërprerjen e saj”, thotë trajneri i cili nuk fsheh se ka pasur interesim për të si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova.

“Po, ka skuadra të ndryshme si në Shqipëri, ashtu edhe Kosovë, që më kanë kontaktuar me propozime e projekte konkrete, por u jam përgjigjur në të njëjtën mënyrë, që jam nën kontratë me Vushtrrinë dhe pa e zgjidhur atë nuk mund të bëj asnjë lëvizje. Pres në ditët në vijim të mësoj edhe unë më shumë rreth të ardhmes dhe kësaj situate të pazakontë”, tregoi ai. /vipsport.al/