E duan edhe në Kosovë, Rapo për “Vipsport”: Pres Luftëtarin, këtë muaj vendos!

Donald Rapo, ndonëse ka edhe një vit kontratë me skuadrën e Luftëtarit, por në Gjirokastër ka pasur edhe probleme pagash të muajve të fundit. Në fakt ka edhe ide për ta çuar klubin në gjyq…falë një sezoni të suksesshëm, duket se ofertat kanë nisur.

E madje bëhet fjalë për 4-5 ekipe të Superiores sonë, në Greqi por edhe Kosovë. Rapo tashmë ka luksin të zgjedhë, ndërsa ka pohuar: “Sezoni i mbyllur është i treti me Luftëtarin. Ju them se do ta konsideroja sezonin më të mirë me fanellën e Luftëtarit. Kam shënuar pesë gola këtë sezon dhe për mua ka qenë një nga kampionatet më të mira në Gjirokastër. Ndihem mirë për këtë”, – tha fillimisht 28-vjeçari.

Golat

“Mëngjarashi” gjatë eksperiencës në Gjirokastër i ka provuar që të gjitha rolet, nga mbrojtja, mesfusha dhe sulmi, duke qenë një “xhol” për të gjithë trajnerët. “Kam shënuar 5 gola. Nuk janë pak e më vjen mirë që kanë qenë deçizivë në rezultate e madje duke i dhënë edhe 3-pikësha skuadrës”.

Ofertat

Rapo nuk kërkon të nxitohet kur flitet për të ardhmen, teksa shprehet: “Kam dhe një vit kontratë me Luftëtarin dhe kemi kohën e duhur për të ulur në bisedime me drejtuesit. Do të diskutojmë për gjithçka dhe do të vendos. Ofertat nuk më kanë munguar, si nga skuadrat shqiptare dhe nga Kosova. Brenda këtij muaji e saktësoj të ardhmen time”, – tha Donald Rapo, një nga lojtarët e spikatur te Luftëtari dhe në Superiore gjatë sezonit të shkuar.

E.S./Vipsport.al/