E ardhmja e sulmuesit shqiptar, drejtori sportiv: Olimpiakos? Jo, ka interes nga Anderlehti

Në kampionatin turk, po shkëlqen sulmuesi shqiptar Vedat Muriqi, i cili me golat e tij te Rizespori ka arritur të kthehet në protagonist dhe të ketë interes për të nga shumë skuadra të huaja. Ditën e sotme u raportua se ka arritur të mbyllë akordin me Fenerbahçen megjithatë, drejtori sportiv i Rizesporit ka dhënë një tjetër lajm.

I intervistuar nga “gazzetta.gr”, drejtori sportiv, Jilmaz Bal u shpreh se për Muriqin ka interesim nga kampionati francez dhe ai belg duke folur edhe me emra. Skuadra më e madhe që kërkon Muriqin, duket se është Anderlehti megjithatë ende asgjë nuk është vendosur.

“Nuk kemi marrë asnjë ofertë apo interesim nga Olimpiakosi dhe mund të them se nuk ka asgjë nga klubi grek. Është e pavërtetë ajo që është shkruar pa folur me menaxherët. Mund t’iu them se për Muriqin ka interesim nga Anderlehti dhe Tuluze, por ka interesim edhe nga Fenerbahçe dhe Bashakshehir. Do të shohim se çfarë do të ndodhë pasi është një lojtar i madh dhe vjen pas një sezoni fantastik”, u shpreh Bal. /Erjon Allaraj-VipSport.al/