Duka: Partizani nuk dha spektakël, Gjici ka përgjegjësi për Kukësin. Për Skënderbeun nuk ishte faji i KAS-it

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka bërë një bilanc të sezonit futbollistik dhe ka ndarë vlerësimet për skuadrat e ndryshme të këtij edicioni. I bindur se në fund gjithsecili ka marrë atë që meritonte në klasifikimin e kampionatit, në intervistën e tij për “SuperSport”, Duka ka përmendur disa skuadra që për një arsye apo tjetër kanë spikatur më shumë.

“Partizani bëri kampionat të mirë, e udhëhoqi thuajse të gjithë kampionatin. Konkurrentët e tjerë nuk arritën të shfaqeshin në të njëjtat nivel, pavarësisht se tentuan. Por në fazën e fundit duket se u dorëzuan. Nuk dha futboll spektakolar, por u shfaq pragmatist dhe arriti të merrte rezultatet. Në përgjithësi skuadrat kanë marrë atë që kanë dhënë në fushën e lojës, në bazë të protagonizmit, shpenzimeve e buxheteve në kampionat.

Skuadra që më ka bërë përshtypje, që ka luajtur futboll të mirë ndonëse ka shitur futbollistë e ka marrë të tjerë, është Luftëtari. Vitin e kaluar luajti në Europë e pavarësisht rezultateve zhgënjyese ka dhuruar futboll në Superiore.

Kukësit nuk i ka munguar buxheti, nuk i ka munguar përbërja e skuadrës. Ka pasur lojtarë cilësore, por i ka munguar skuadra. Për të bërë skuadrën, i pari që ka përgjegjësi është presidenti Gjici që duhej ta organizonte që të kishte një skuadër e jo shumë individë.

Nuk mendoj se ka ndikuar te Skënderbeu ajo lufta juridike nëse do të ketë të drejtën apo jo për të luajtur në Europë. Skuadra bëri rezultate pozitive deri në janar, shumë diskutonin se megjithëse largoi lojtarë, u paraqit mirë. Por më vonë u pa që nuk ishte e përgatitur për të përballuar sportivisht e jo psikologjikisht se futbollistët nuk kanë asnjë përgjegjësi për problemet juridike të klubit. Sportivisht nuk ishte e përgatitur për kampionat me 36 javë, nuk kishte alternativa për të përballur kampionatin

Teuta u pa si ekip konkurrent për kampion, ndaj 10 javë para mbarimit u afrua me vendin parë. Por m’u duk si skuadër jo me grintën e duhur, jo se nuk kishte futbollistë, por i mungoi grinta. Vendi i tretë është i merituar, por më përbërjen që ka, sa është investuar, sa ka buxhet, duhej të meritonte më shumë”, ishte analiza e Dukës. /vipsport.al/