“Dua të kthehem në shtëpi”, Nejmar mesazh Barcelonës, katalanasit kanë formulën për ta transferuar

Nejmar e ka pranuar hapur se është penduar që është larguar nga Barcelona, ndërsa është shprehur se nuk duhej të kishte ikur nga shtëpia. Megjithatë, tashmë dëmi është bërë dhe palët e përfshira PSG, Nejmar dhe Barcelona po punojnë për të gjetur sërish rrugën në të cilën braziliani mund të kthehet në Katalonjë.

Sigurisht, një operacion i tillë do të kushtojë shumë para, teksa duhet kujtuar se francezët e transferuan Nejmar për shumën rekord të 222 milionë eurove dhe nëse nuk ia dalin ta shesin me të njëjtën shumë, do të kërkojnë t’i përafrohen për të mos pësuar një humbje të madhe. Nga ana tjetër, Barcelona, paratë e Nejmar i shpenzoi për të transferuar Felipe Kutinjo dhe Dembele.

Të dy futbollistët nuk kanë bindur ambientin katalanas, teksa rendimenti ka qenë nën pritshmëri. Në këtë mënyrë, Barcelona është e gatshme t’i largojnë nëse mbërrijnë oferta deri në 100 milionë, megjithatë njëri prej lojtarëve mund të përfshihet edhe në operacionin që do të sjellë mbrapsht Nejmar në Spanjë.

/Egi Çabeli-VipSport.al/