Drejtuesi i Atletikos i vë vulën largimit: E dimë që në mars se ku do të luajë Grizman

Prej disa javësh, në mediat spanjolle ka filluar diskutimi për të ardhmen e Antuan Grizman, i cili deklaroi se do të largohej nga Atletiko Madrid për t’iu bashkuar një klubi tjetër e nisur një aventurë të re. Por prej më shumë se tre javësh, nuk ka pasur asnjë gjë të re rreth të ardhmes së futbollistit francez, edhe pse mendohej se skuadra e Barcelonës do të ishte ajo të cilës do t’i bashkohej lojtari.

U fol edhe për një dështim të transferimit, pasi Barcelona kishte bërë prapakthehu, por kështu nuk e mendon drejtuesi i Atletikos, administratori i deleguar Zhil Marin, i cili në një deklaratë për “Movistar” shpjegoi se çfarë do të ndodhte me sulmuesin.

“E kam të qartë se ku do të luajë Grizman. Do të jetë te Barcelona, kjo dihet që në muajin mars”, tha ai. Mediat spanjolle kanë mësuar pas kësaj deklarate se te Atletiko ishin në dijeni që në mars se Grizman do të bëhej pjesë e katalanasve duke paguar klauzolën e largimit, që para se dy skuadrat të ndesheshin në kampionat. /vipsport.al/