Draksler tregon sherrin me Nejmar: Kur nuk je dakord me dikë, s’ka rëndësi kush është ai

Pas disa muajsh, Julian Draksler ka vendosur të tregojë të vërtetën e sherrit me brazilianin Nejmar pas ndeshjes mme Montpeljenë. Deri tani janë thënë shumë gjëra dhe ky sherr është bërë legjendë, ndërsa futbollisti gjerman i PSG-së ka treguar gjithçka ndodhi për “Kicker”.

Një shkëmbim fjalësh mes të dyve në fushë vazhdoi edhe në dhomat e zhveshjes, duke e detyruar trajnerin Tuhel të ndërhyjë. Veprimet individuale të Nejmarit janë kritikuar nga Draksler dhe braziliani i është drejtuar: “Po ti kush je? Di të bësh vetëm pasime prapa”. Fjalë që kanë mjaftuar për t’i nxehur gjakrat.

“Po, pata një zënkë me të, siç mund t’i ndodhte çdokujt. Nëse nuk je dakord me dikë, nuk duhet të shqetësohesh se kush është ai që ke përballë. Ndodhi gjatë ndeshjes. Ai ishte i nxehur, edhe unë isha i nxehur, ndaj dhe e ngritëm zërin, një fjalë solli tjetrën, por në fund gjithçka u qetësua. Nuk ishte asgjë e veçantë, thjesht ajo periudhë nuk ishte e mirë nga ana mendore”, – ka thënë gjermani, i cili nuk e ka përgënjeshtruar sherrin,e dhe pse klubi bëri gjithçka për ta hedhur poshtë atë që thuhej.

Draksler mund të largohet nga PSG-ja këtë verë për të shkuar në Angli, ku mund të zëvendësojë danezin Kristian Eriksen te Totenhemi. Ndoshta është më mirë të jetë larg Nejmarit. / Vipsport.al