Dortmundi e ka të qartë strategjinë, rinovon kontratën me trajnerin

Borusia Dortmund nuk ia doli edhe këtë sezon të thyente hegjemoninë e Bajernit të Mynihut në kampionat. Në fakt, verdhezinjtë ‘flirtuan’ me triumfin në Bundesligë, teksa udhëhoqën për një kohë të gjatë kampionatin, megjithatë eksperienca e bavarezëve rezultoi vendimtare.

Megjithatë, Dortmundi do të provojë sërish vitin tjetër, teksa drejtuesit janë tregua mjaft aktivë në merkato për të shkurtuar edhe më shumë diferencat me Bajernin. Kështu, pas transferimeve të Torgan Hazard dhe talentit gjerman Julian Brandt, verdhezinjtë ditën e sotme kanë zyrtarizuar marrëveshjen për rinovimin e kontratës me trajnerin Lusien Favre.

Tekniku dhe klubi do të vazhdojnë bashkëpunimin deri në vitin 2021, teksa lajmi u konfirmua nga klubi i Dortmundit. Kështu, zvicerani mesa duket ka bindur drejtuesit në sezonin e parë dhe do të vazhdojë projektin për të rikthyer Borusia Dortmund te titulli që mungon prej vitit 2012.

/Egi Çabeli-VipSport.al/