Dita e Luka Joviç te Real Madrid, sulmuesi serb kalon me sukses vizitat mjekësore

Sot do të jetë dita e prezantimit të sulmuesit më të ri të Real Madridit, Luka Joviç. Serbi ka firmosur për pesë sezone me ‘Los Blancos’, ndërsa u transferua nga Ejntrahti i Frankfurtit për shumën e 60 milionë eurove. Ka qenë klubi spanjoll, i cili nëpërmjet llogarisë në Twitter ka njoftuar dhe ka publikuar Joviç duke zhvilluar vizitat mjekësore.

Vizitat të cilat janë kaluar me sukses nga 21-vjeçari, i cili në këtë formë përgatitet të nisë aventurën në Madrid. Joviç shkëlqeu në sezonin që lamë pas teksa ishte një nga futbollistët kryesorë të Ejntrahtit të Frankfurtit, ndërsa jo vetëm në Bundesligë por edhe në Ligën e Europës udhëhoqi skuadrën me golat dhe asistet e tij.

Fillimisht, serbi ishte pranë transferimit te rivalët e galaktikave, Barcelona, por më pas ishte vetë futbollisti që zgjodhi klubin e tij të preferuar. Tashmë, Reali dhe trajneri Zidan do të kenë një armë më shumë në repartin e avancuar për sezonin e ardhshëm.

/Egi Çabeli-VipSport.al/