Deklarata i hapën probleme Ikardit, Uanda e gatshme të heqë dorë nga emisioni

Uanda Nara, agjentja dhe njëkohësisht bashkëshortja e sulmuesit të Interit, Mauro Ikardi, ka pasur një rol jo të vogël në konfliktin mes argjentinasit dhe klubit të Interit. Deklaratat e përjavshme të Uandës në emisionin ‘Tiki Taka’, kishin një ndikim të drejtpërdrejtë në krizën e Ikardit me shoqërinë zikaltër.

Konflikti i cili nisi për arsyen e rinovimit të kontratës së sulmuesit, u zmadhua më pas në momentin kur Ikardi nuk pranoi të zbriste në fushë me skuadrën në një ndeshje të Europa League ndaj Rapidit të Vjenës. Por, deklaratat e Uandës e kthyen në një debat publik, i cili më pas ndikoi në zmadhimin e krisjes me klubin.

Ndërkohë, deklaratat e tepruara shkaktuan edhe zemërimin e tifozerisë zikaltër, e cila zor se do ta falë Ikardin për sjelljen e tij. Ndërkaq, së fundmi Uanda është shprehur se është e gatshme të heqë dorë nga dalja e përjavshme në emision, nëse i shkakton vështirësi Ikardit. Megjithatë, duket një vendim i marrë me vonesë, teksa klubi nga Milano ka vendosur ta largojë sulmuesin në merkaton verore.