“Dedikimi për golat, stërvitja me Çelsin dhe Ronaldo”, Broja i thotë të gjitha: Zgjodha Shqipërinë se këtu kam gjakun

Shqipëria U21 fitoi ndaj Uellsit, por më shumë se rezultati fitoi një sulmues që në të ardhmen mund të bëhet futbollisti më i rëndësishëm i Kombëtares. Shtatlarti Armando Broja ishte vendimtar me dy golat e tij dhe megjithëse vetëm 17 vjeç, diti të bëhet protagonist në një ekip ku të gjithë janë më të mëdhenj se ai.

Në një prononcim për mediat pas ndeshjes, Broja u ndal te ndeshja dhe te ftesa për të luajtur me U21, duke pranuar se punon gjithmonë për të arritur më lart. Ai zbuloi se disa herë është stërvitur me ekipin e parë të Çelsit, ndërkohë që ka edhe një dedikim për dy golat e shënuar.

“Ndeshja? Kemi luajtur mirë, kemi lëvizur mirë, por dua të them se i gjithë ekipi ka bërë mirë.

Ftesë më herët? Jo, jo! E dini, unë vetëm punoj fort dhe kur më jepen shanset mendoj vetëm t’i shfrytëzoj. Për mendimin tim i shfrytëzova këtë herë dhe jam shumë i kënaqur. Gjithashtu jam shumë i kënaqur edhe se më thirrën te Shqipëria U21 dhe më aktivizuan 45 minuta, sikurse  edhe për dy golat që realizova.

Dallimi i Shpresave me U19? Këtu janë shumë më të fortë, më të gjatë. Në këto ndeshje duhet të kërkosh më shumë, pasi janë më të mëdhenj. Ka shumë diferenca. Kur hyra në fusha ishte më mirë. Topi luhet më shpejt.

Lojtar që bën diferencën? Kallaku tek ekipi ynë është nga ata që mund të bëjnë diferencën, duket lojtar i mirë. Ka disa driblime të mira, lëviz topin shpejt dhe duket një lojtar shumë i mirë.

Çelsi? Jam stërvitur me ekipin e parë disa herë, por akoma nuk kam luajtur ndeshje. Po pres, duhet të jem me këmbë në tokë dhe të vazhdoj stërvitem mirë

Idhulli? Ronaldo, braziliani, fenomeni. E kam qejf, pasi ka qenë i shpejtë, i fortë, i mirë me kokë, godite me të dyja këmbët. Ashtu dëshiroj të jem edhe unë. Gjatësia nuk më pengon të jem i shpejtë. Atje, në Angli, jam stërvitur shumë për sprinte. Prandaj jam edhe shumë i shpejtë.

Ftesa e Shqipërisë? Më ka thirrur Shqipëria e para, edhe thashë po vij pasi mami e babi im jetojnë këtu, kanë lindur këtu. Thashë po vij me Shqipërinë se këtu më kanë lindur prindërit, këtu është vendi ku kam gjakun. Thashë ta provoj me Shqipërinë.

Dedikim? I pashë familjarët e mi që ishin në stadium dhe janë shumë të kënaqur. Babi më tha të lumtë, por pastaj më ngacmoi: ‘ku ishte ai goli i tretë?!”. Normalisht unë qesha. E gjithë familja është gëzuar. Golat ia dedikoj mamit. Nuk erdhi në stadium, por për të i kam bërë golat. Të dy. Herë tjetër, të martën, ndonjë gol për babin (qesh). /VipSport.al/