Dedikimi i Asanit për Gegën: Je ai që më ka ndryshuar, do mbetesh person i veçantë për mua

Mes lojtarëve të Partizanit të cilët në rrjetet sociale kanë përshëndetur trajnerin Skënder Gega për atë që ka dhënë në fushën e lojës, një urim i veçantë ishte ai i Jasir Asanit. Nën drejtimin e Gegës futbollisti bëri hapa para duke u vlerësuar tashmë si një nga talentet më të mëdhenj që kanë luajtur në Superiore në këtë edicion, merita të cilat edhe lojtari ia ka njohur teknikut i cili vendosi të largohej nga të kuqtë pas vetëm një viti.

“Profesor, ka qenë kënaqësi të bashkëpunonin gjatë këtij viti që u kurorëzua me sukses. Të falënderoj për çdo këshillë dhe mbështetjen e pamasë çdo ditë si në fushë dhe jashtë saj. Ti ishe ai që më ke ndryshuar dhe më ke mbështetur që të përmirësohem akoma dhe më shumë. Do mbetesh gjithnjë një person i veçantë për mua.

Së bashku kemi kaluar shumë emocione dhe momente të bukura, po ashtu kemi kaluar shumë vështirësi dhe pengesa, por në fund ia dolëm. Pa diskutim një prej më të mirëve profesor Skënder Gega”, ishin fjalët e Asanit kushtuar trajnerit me të cilin u shpall kampion. /vipsport.al/