De Ligt ‘tradhton’ Barcelonën, agjenti i mbrojtësit nis negociatat me Parisin

E ardhmja e Matijs De Ligt është një nga enigmat më të mëdha të kësaj merkato verore. Paraqitjet fantastike të mbrojtësit në sezonin që lamë pas, kanë shkaktuar që shumë skuadra të vihen pas 19-vjeçarit. Ylli i Ajaksit, u duk se ishte shumë pranë kalimit te Barcelona teksa në Katalonjë do të transferohej dhe shoku i tij i ngushtë, Frenki De Jong.

Megjithatë, në deklaratën e fundit De Ligt shtangu blaugranët, duke u shprehur se kërkonte një skuadër ku të luante vazhdimisht dhe se mbase tani nuk është momenti i përshtatshëm për t’u transferuar te Barcelona. Ndërkohë, e ardhmja e De Ligt është e lidhur ngushtë edhe me menaxherin e tij Mino Raiola. Ky i fundit kërkon të përfitojë sa më shumë nga transferimi i mbrojtësit, teksa në këtë pjesë kishte dhe një përplasje me drejtuesit e Barcelonës.

Ndërkohë, nga Parisi ka ardhur një sinjal shumë i rëndësishëm për skuadrën e re të De Ligt. Agjenti Mino Raiola do të takohet ditën e sotme me drejtues të PSG, për të negociuar transferimin. Mesa duket, De Ligt ka vendosur të transferohet te klubi sheik, duke injoruar ofertat e Barcelonës, Juventus apo Liverpul.

/Egi Çabeli-VipSport.al/