De Ligt “ngrin” Barcelonën: Nuk e di nëse është momenti i përshtatshëm për të shkuar atje

Është mbrojtës, është vetëm 19-vjeç, por ka bërë që ët çmendet e gjithë Europa pas tij. Matijs De Ligt është emri më i “nxehtë” i merkatos së verës dhe ka bërë që pas tij të vihen shumë prej klubeve më të njohura në kontinent, me Barcelonën të parën në radhë falë edhe lidhjeve që ka me klubin e tij, Ajaksin, ku ai është kapiten.

Por vetë futbollisti pranoi se ka dyshime të mëdha nëse tani është momenti i duhur për të shkuar te katalanasit.

“Për mua është një nder i madh që kaq shumë klube interesohen”, pranoi ai në një intervistë për “Mundo Deportivo”. “Por nuk di ende të them se çfarë më thotë zemra për vazhdimin. Kam qenë gjithë kohës i përqendruar te Ajaksi dhe te kombëtarja. Vetëm gjatë pushimeve do të mendoj për këtë dhe të vendos për të ardhmen.

Për mua, gjëja më e rëndësishme është të di që në ekipin ku do të luaj, të kem një rol protagonisti dhe të luaj shumë ndeshje. Konkurrencë te Barcelona? Sigurisht që ajo ka mbrojtës të mëdhenj, por konkurrenca nuk është diçka që më frikëson. Është logjike dhe normale që në një klub të madh si Barcelona të ketë konkurrencë. Do të ishte e bukur të luaja përkrah mikut tim De Jong, por duhet të shoh më parë atë që është më e mira për mua.

Paratë nuk janë problem. Pse kam ende dyshime për Barcelonën? Sepse ndoshta tani nuk është momenti i duhur. Kjo është diçka që duhet të mendoj dhe vendos gjatë pushimeve, asgjë më shumë”, deklaroi De Ligt për gazetën spanjolle.

Këto deklarata kanë hapur edhe një herë diskutimin për të ardhmen e tij, pasi dihet që në ndjekje të futbollistit janë edhe PSG, Mançester Junajtid apo Juventus. /vipsport.al/