De Laurentis zbulon gjithçka: Hames? Do të shesim fillimisht të gjithë ato që nuk do Ançeloti

Napoli ka nisur të mendojë për merkaton e verës dhe një nga pistat më të nxehta është ajo e Hames Rodrigezit me mesfushorin kolumbian që duket se do të transferohet në Itali gjatë kësaj merkatoje. Në lidhje me këtë çështje ka folur vetë presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, i cili shprehet se është një dëshirë e Ançelotit dhe se do të provojë ta realizojë.

“Tifozëve u kam premtuar se në gusht do të ketë një dhuratë për to. Kemi dy miqësore me Barcelonën në Amerikë dhe më pas do të luajmë me Liverpulin dhe me Marsejën.

Hames? Ne kemi Junas që është i jashtëzakonshëm. Kam thënë se duhet të shesim dhe më pas të blejmë pasi aktualisht jemi në një fazë studimi dhe nga 1 korriku do të nisim punën. Megjithatë fillimisht do të shesim të gjithë ato që nuk do Ançeloti. Hames është shumë i kushtueshëm megjithatë për futbollistë të tillë mund të bëjmë sakrifica”, u shpreh De Laurentis. /Erjon Allaraj-VipSport.al/