Çelsi bëhet gati për Lampard, por duhet t’i japë Derbit miliona nga ato që i mori Juves

Pasi kanë hapur dritën e gjelbër për kalimin e Mauricio Sarrit te Juventusit, duke mbyllur kontratën me trajnerin italian, te Çelsi po bëhen gati që të zyrtarizojnë edhe ata trajnerin e ri. Të gjithë janë të bindur se ai do të jetë Frenk Lampard, një idhull për tifozerinë blu, edhe pse për momentin ka disa pengesa të vogla.

Lampard është një legjendë te Çelsi dhe klube e di mirë dashurinë që kanë tifozët për të. Ndaj nuk është rastësi që pikërisht sot klubi hodhi në rrjetet sociale foton e firmës së tij 18 vite më parë për londinezët. Palët janë dakord dhe Lampard pavarësisht eksperiencës jo shumë të madhe në pankinë, është gati të marrë drejtimin e bluve.

Por pengesë në këtë mes bëhet Derbi Kaunti, me të cilin Lampard ka kontratë. Në bisedimet zyrtare që pritet të fillojnë që sot, klubi i Championship do të kërkojë të dëmshpërblehet për largimin e teknikut. Derbi kërkon 4 milionë paund për të, një shifër relativisht e lartë, por që gjithsesi mund të paguhet nga Çelsi. Ky i fundit do ta ketë të lehtë pasi i ka marrë Juventusit po sot 7 milionë paund që të lërë të lirë Mauricio Sarrin dhe një pjesë të këtyre parave do t’i investojë për të afruar Lampard. /vipsport.al/