Bylisi e ka grupin gati, “ndez motorët” për Superioren

Në Ballsh tashmë e gjithë vëmendja është e përqendruar te puna që do të bëhet për një paraqitje dinjitoze në Superiore. Gara me 10 skuadra nuk të lë kohë të gjatë pushimesh, aq më tepër që kampionati duket shumë i vështirë dhe me rivalitet.

PROJEKTI

Këtë sezon në Ballsh kanë zgjedhur një projekt efikas, duke i besuar bazës së lojtarëve të sezonit të kaluara. Ka shumë lojtarë që premtojnë shumë dhe që janë në rritje. Me trajnerin Dovedan në krye, duket se ballshiotët e kanë zgjidhur hallin e pankinës, ndërkohë që edhe thuajse 80% e skuadrës do të ruhet. Natyrisht që do të ketë edhe merkato, ndërsa prioritet do të kenë elementët e talentuar, në mënyrë që të shiten më pas dhe klubi të ketë si prioritet edhe marketingun.

GODITJET

Në Ballsh pritet që të ketë edhe goditje dhe siç ka theksuar edhe presidenti Besnik Kapllanaj dy ditë më parë, pritet që me Bylisin të bashkohet edhe një sulmues i një kombëtareje të njohur afrikane. Largimi i Kofi Doseh në sulm, ka hapur vend për një lojtar të huaj në ofensivë, kështu që ballshiotët pritet që të përforcohen në një repart. Gjitshesi, javën që vjen priten zhvillime në aspektin e merkatos në kampin ballshiot, aty ku drejtuesit duan që të ndërtojnë një ekip solid dhe që të përfaqësohet denjësisht në sezonin e ardhshëm në elitë.

E.S./Vipsport.al/