Buffon: Mendoj se kam zhvilluar një sezon të madh, nuk është e lehtë në moshën 41-vjeçare

Xhanluixhi Bufon nuk ka dhënë asnjë sinjal mbi të ardhmen. Në një prononcim të tijin për sajtin zyrtar të klubit të PSG, portieri ka folur mbi sezonin që kaloi, ndërsa u shpreh se ka pasur një sezon të madh, duke marrë parasysh moshën 41-vjeçare.

“ Jam jashtëzakonisht i lumtur sepse asnjëherë nuk është e thjeshtë të fitosh, mbi të gjitha në moshën 41-vjeçare. Është e vështirë të qëndrosh në majë, por mendoj se kam zhvilluar një sezon të madh. Kam bërë një gabim në sfidën ndaj Mançester Junajtid, por në përgjithësi jam i kënaqur. Mos të harrojmë se deri para ndeshjes së kthimit me Junajtid kishim një rrugëtim të jashtëzakonshëm, të mbushur me shpresë”, tha portieri.

Teksa pritej që Bufon të njoftonte tërheqjen nga futbolli pas lamtumirës nga Juventus, portieri vendosi të vazhdonte me PSG, duke firmosur një kontratë 1 vjeçare me të drejtë rinovimi edhe për 1 vit. Ende nuk është marrë një vendim për të ardhmen e Bufon, si nga klubi parisien ashtu edhe nga vetë portieri 41-vjeçar.

/Egi Çabeli-VipSport.al/