Botërori i femrave, Francës i vjedhin dhe pastaj i kthejnë zogun pushverdhë Ettie

Një ngjarje e çuditshme ka ndodhur këtë javë në Paris, gjatë Botërorit të femrave. Organizatorët e aktivitetit dhe FIFA kanë denoncuar grabitjen e Ettie, zogut pushverdhë që ishte edhe maskota e turneut. Gjithçka ka ndodhur në një prej impianteve më të sigurta në Europë, “Parc Des Princes”, atë të PSG-së, ku grabitësit kanë hyrë gjatë natës.

Pamjet filmike të shqyrtuar pasi është konstatuar mungesa e Ettie, kanë zbuluar se një grup prej 5 personash të paidentifikuar ka hyrë në stadium në mesnatën e 20 qershorit dhe pasi kanë luajtur futboll në një pjesë të fushës për një copë kohë, kanë “inspektuar” ambientet e brendshme. Aty janë shfaqur dy prej tyre teksa largoheshin me çantën ku brenda ishte edhe kostumi i maskotës së aktivitetit që po zhvillohet këto ditë në Francë.

Policia ka nisur menjëherë kërkimet dhe ngjarja u përhap me shpejtësi në mediat franceze, pasi ishte një situatë shumë e çuditshme. Kjo duket se ka trembur grabitësit të cilët kanë menduar që të evitojnë më të keqen. Sot në mëngjes, kostumi është depozituar në kutinë e ankesave të një zyre avokatie publike në Paris, e cila ia ka kthyer organizatorëve, por ndërkohë policia vazhdon të kërkojë autorët e grabitjes të cilët akuzohen se kanë hyrë pa leje në impiantin parisien. /vipsport.al/