Boban nuk pret lejekalimin nga FIFA, firma e parë e Milanit merr miratimin e tij

Zvonimir Boban nuk pret lejekalimin nga FIFA, e cila duhet të anulojë kontratën me të para se ish-mesfushori i njohur kroat të emërohet si pjesë e stafit drejtues të Milanit. Edhe pse çështja burokratike nuk ka marrë ende fund, Boban ka filluar punë jozyrtarisht dhe ka qenë i pranishëm në diskutimet dhe takimet për transferimin e parë të kësaj vere për skuadrën kuqezi.

Sipas “Sky Sport”, Boban ishte i pranishëm në mbledhjen mes klubit të Milanit dhe atij të Empolit duke qenë përkrah Maldinit në momentin e diskutimeve për transferimin e Rade Kruniç. Mesfushori është gati të shkojë në Milano dhe pas diskutimeve të fundit, është gjetur akordi për transferimin e lojtarit për 8 milionë euro.

Kjo shifër është konfirmuar nga drejtuesit e Empolit, që kanë vulosur transferimin, i cili do të bëhet publik vetëm pasi futbollisti të ketë kaluar vizitat mjekësore. Mediat italiane zbuluan në ditët e kaluara se një nga detyrat më specifike të Boban ishte që të vendoste veton për të gjithë elementët e mesfushës, duke qenë ai një ish-specialist i këtij reparti e duket se Kruniç ka kaluar testin e kroatit. /vipsport.al/