Blerja e re e durrsakëve “zbarkon” në Bullgari dhe nis punën  me skuadrën

Darko Nikaç ka firmosur zyrtarisht me skuadrën durrsake ditën e djeshme. Nikaç luan në pozicionin e sulmuesit dhe vjen nga Mali i Zi, ndërsa sot, ai është vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Blendi Shkëmbi në kampingun e Banskos, aty ku edhe durrsakët janë të grumbulluar.

Sulmuesi 28-vjeçari luante që nga janari i këtij viti, me Iskran në kampionatin vendas, teksa në 17 takime, ka shënuar edhe plot 12 gola. Nikaç pritet të ndihmojë fazën ofensive të Teutës, e cila këtë sezon lufton në 3 frone, kampionat, kupë dhe Europa League.

Teuta ka vuajtur jo pak në vijën e parë në sezonin e shkuar, madje deri në pjesën e parë të sezonit, Latif Amadu ishte në formë mjaft të mirë. Më pas u afrua Bushiç, por dyshja nuk arriti që të inkuadrohej asnjëherë. Ndërsa me ardhjen e Nikaç, një futbollist mjaft cilësor dhe me një “CV” të pasur, në Durrës kanë besim se skuadra është e kompletuar dhe të gjithë shpresojnë në kalimin e turit në Kupat e Europës.

E.S./Vipsport.al/