Bilardo / Talenti Kaçi dhe një polic shqiptar janë surpriza e Botërorit, luhet për 250 mijë dollarë

Përfaqësuesja shqiptare e bilardos po merr pjesë në Kampionatin Botëror të 9-shes që po zhvillohet në Leister të Anglisë dhe deri tani rrugëtimi i saj ka qenë i shkëlqyer. Ekipi i përbërë nga talenti Eklent Kaçi dhe Besar Spahiu, ia ka dalë të kualifikohet mes 16 më të mirëve në botë.

Një arritje jo e vogël, pasi bëhet fjalë për profesionistë nga vende të ndryshme të cilët garojnë për të siguruar vendin e parë e fitime sa më të mëdha nga aktiviteti i cili u shpërndan pjesëmarrësve 250 mijë dollarë në total. Në kualifikuese, Shqipëria mundi Rusinë me rezultati 7-3 ku spikati sidomos loja e Spahiut, një nga emrat e rinj në evenimente të tilla, pasi Kaçi tashmë ka krijuar famë në të gjithë botën me lojën e tij. Të premten, përballë do të jetë përfaqësuesja e Filipineve, e cila kaloi me rezultatin 7-6 Republikën Çeke, në një ndeshje që hap rrugën drejt çerekfinaleve.

Në garë janë mijëra dollarë, por jo vetëm, siç tregoi Besar Spahiu i cili larg tavolinave të bilardos është me profesion polic. “Jemi të lumtur që kalojmë në raundin e dytë të turneut. U kënaqëm në këtë ndeshje, por shpresojmë që të luajmë edhe më mirë. Policia është treguar e mirë me mua, nëse vazhdojmë të fitojmë, do të më lejojnë të kem më shumë pushime ndaj uroj që të vazhdoj të fitoj”,tha ai për mediat që ndoqën këtë eveniment që transmetohet në disa televizione ndërkombëtare. /vipsport.al/