Bie rekord pas rekordi, Hemilton niset i pari në Çmimin e Madh të Francës

Luis Hemilton do të niset i pari në vijën e startit në Çmimin e Madh të Francës në Formula 1, pasi në provat zyrtare, ai dhe Mercedes vazhdojnë të thyejnë rekord pas rekordi. Pavarësisht mendimit se Ferrari kishte makinën më të mieë në këtë sezon, Mercedes ka vënë diktatin e saj dhe piloti britanik ka shanse të mira për të shtuar diferencën në kreun e klasifikimit me ndjekësit.

Për Hemilton, xhiroja e shpejtë e sotme ishte për të mbajtur pas shokun e skuadrës dhe rivalin kryesor, Valteri Botas, ndërsa vendosi rekord në secilin prej sektorëve të pistës, ndërsa regjistronte pole-position të 86-të të karrierës, që do të thotë 20 më shumë se çdo pilot tjetër në histori. Një dominim absolut për britanikun i cili në garën e nesërme duket se do të shqetësohet vetëm nga Botas, pasi pjesa tjetër nuk arrijnë të mbajnë hapin e tij.

Sharl Leklerk me Ferrari ia doli të shkonte deri në vendin e tretë, por nuk shqetësoi dot makinat Mercedes të cilat me pozicionimin në dy vendet e para, vendosën edhe rekordin e ri në Formula 1 duke u bërë skuadra e parë që e arrin një gjë të tillë për të 63-tën herë.

Verstapen me Red Bull do të jetë i katërti ndërsa edhe dy makinat MekLaren të Norris e Sainz kaluan Fetel, në vështirësi të dukshme në këtë sezon ku po kryen gabim pas gabimi, siç ishte rrotullimi i sotëm në xhiron e shpejtë që i hoqi mundësinë të përmirësonte pozicionin e tij. /vipsport.al/