Besir Demiri largohet nga Ukraina, i bashkohet Kristi Qoses në futbollin sllovak

Mbrojtësi i krahut të majtë, Besir Demiri, i grumbulluar nga ish-trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi, do të largohet nga kampionati ukrainas, ku është aktivizuar me ekipin e Mariupolit në shumicën e ndeshjeve si titullar.

“Infosport” në Maqedoninë e Veriut bën me dije se Demiri do të jetë pjesë e Zilinës në Sllovaki. Futbollisti shqiptar ka gjetur akordin me drejtuesit e ekipit sllovak dhe prezantimi i tij është thjesht një formalitet. Një aventurë e re kjo për Demirin në futbollin sllovak, ku luan edhe mesfushori Kristi Qose, i cili aktivizohet me Ruzomberokun.

Demiri është aktivizuar më parë me skuadra si Shkëndija e Tetovës, Vardari dhe Shkupi. Me kombëtaren kuqezi nuk ka debatuar ende dhe në grumbullimet e fundit është lënë jashtë, por lojtari asnjëherë nuk ka dashur të polemizojë për këtë fakt. / Vipsport.al