Besa bën “pazar” te Egnatia për dy titullarët

Besa e sezonit të ardhshëm do të jetë pretendente në Kategorinë e  Parë, pavarësisht se në cilin grup do të marrë pjesë. Kavajasit edhe pse kanë pasur 7 largime të titullarëve të sezonit të shkuar kanë menduar që të rihyjnë në merkato.

Madje, ata e kanë nisur nga lojtarët vendas, ku asnjë nuk do të largohet ndonëse Tedi Cara ka pasur shumë oferta konkrete në këtë periudhë. Drejtuesit verdhezi e kanë përqendruar tregun në Kosovë por edhe në Kategorinë e Parë dhe Superiore.

Nga sa bëhet e ditur, te kavajasit po kërkojnë që të marrin dy nga titullarët dhe lojtarët kryesorë të skuadrës së Egnatias në sezonin e shkuar, mbrojtësin Jurgen Vogli si dhe sulmuesin Klejdis Branica.

Të dy lojtarët trajneri i Besës, Gugash Magani i njeh mirë dhe natyrisht që do t’i bënin shumë punë Besës, aq më tepër që janë futbollistë me eksperiencë dhe e njohin mirë Kategorinë e Parë.

E.S./Vipsport.al/