Bekenbauer ngre në qiell trajnerin Klop: Ka sjellë një stil të ri loje, e ëndërroj te Bajerni!

Legjenda e Bajern Mynih, Franc Bekenbauer, e ka pranuar se ëndërron që një ditë të shohë trajnerin Jurgen Klop në stolin e bavarezëve. Si shumë njerëz të tjerë të njohur të futbollit, edhe ai është dashuruar pas trajnerit të Liverpulit, që pak ditë më parë u shpall kampion i Europës.

Në një prononcim për “Bild”, mes të tjerash Bekenbauer ka theksuar: “Nuk dua gjë tjetër veçse ta shoh një ditë Jurgen Klop të drejtojë Bajernin, do të ishte zgjedhja më e mirë. Jurgen ka sjellë një stil të ri loje në Gjermani. Atë që nisi të bënte te Dortmundi, po e vazhdon te Liverpuli”.

Për të parë Jurgen Klop te Bajerni duhet pritur, sepse për trajnerin gjerman klubi i Liverpulit ka bërë gati një rinovim me kushte më të mira në kontratë. Vështirë që ai të lëvizë shpejt nga “Anfield Road”. Bajerni ndërkohë i ka besuar trajnerit kroat Niko Kovaç edhe për sezonin e ardhshëm. / Vipsport.al