Aubamejang i jep një ‘dorë’ Interit për Lukakun, belgu pranë zikaltërve

Prej ditësh drejtuesit e Interit janë përqendruar totalisht te operacioni që do të sjellën në Milani, sulmuesin e Mançester Junajtid, Romelu Lukaku. Në fakt, mes shoqërisë zikaltër dhe belgut është gjetur gjuha e përbashkët, por deri më tani mungon akordi me klubin e Mançester Junajtid.

‘Djajtë e Kuq’, përveç 80 milionë eurove që kërkojnë nga Interi, para se të humbasin sulmuesin janë në kërkim për të gjetur zëvendësuesin. Në mënyrë që të mos mbeten të befasuar nga të papriturat e merkatos. Junajtid ka hedhur sytë nga sulmuesi i Arsenalit, Pier Emerik Aubamejang.

Së fundmi, gabonezi ka dhënë miratimin e tij për t’u transferuar në ‘Old Trafford’, edhe pse duhet gjetur gjuha e përbashkët mes dy klubeve angleze. Një situatë e cila shkon në favor të Interit, me drejtorin Bepe Marota i cili kërkon të mbyllë sa më shpejt marrëveshjen dhe të plotësojë dëshirën e parë të trajnerit Antonio Konte.