Atletiko pas mesfushorit që theu rekordin e Lampard, spanjollët ofrojnë 50 milionë euro

Atletiko Madrid ka nisur të mendojë për sezonin e ardhshëm, ndërsa do të pretendojë të rivalizojë në kampionat me dy gjigandë si Barcelona dhe Real Madrid, ndërsa do të kërkojnë të shkojnë sa më larg në Ligën e Kampionëve. Dhe në këtë mënyrë, trajneri Diego Simeone është duke marrë masat për organikën e ekipit, teksa së fundmi argjentinasi dhe klubi po mendojnë për të transferuar në ‘ Wanda Metropolitano’, mesfushorin e Sportingut të Lisbonës, Bruno Fernandes.

Futbollisti ka shkëlqyer këtë sezon, ndërsa ka thyer edhe rekordin e ish-futbollistit të Çelsit, Frenk Lampard. Ish-mesfushori, mbante rekordin si mesfushori që kishte realizuar numrin më të madh të golave, 27, për sa i përket një mesfushori. Mirëpo, Fernandes këtë sezon e mbylli në kuotën e 32 golave në të gjitha kompeticionet duke lënë pas legjendën. Një vlerë e shtuar kjo për 24-vjeçarin, duke pasur parasysh se puna e tij kryesore në fushë nuk është ajo e të shënuarit gola.

Ndërkohë, ‘Los Colchoneros’, për të bindur ekipin portugez kanë gati një ofertë prej 50 milionë euro, plus 10 të tjera në formën e bonuseve. Mbetet për t’u parë nëse Sportingu do të kënaqet nga oferta, pasi paraqitjet e Fernandes kanë bërë që për futbollistin të ketë shumë konkurrencë.

/Egi Çabeli-VipSport.al/