Apolonia krenohet me kuqezinjtë, tre talente mund të shiten që këtë verë

Apolonia e Fierit është një nga klubet që vazhdimisht ka prodhuar talente duke qenë se është një nga klubet më traditë në futbollin shqiptar, ku ka spikatur edhe gjatë pjesëmarrjeve të saj në elitë. Ndërtimi i akademisë, duket e ka bërë që të afrohen shumë talente nga Fieri dhe jo vetëm, që pas pak vitesh kanë “shpërthyer”, e tashmë spikatin, me Apoloninë apo dhe në Superiore me ekipe të njohura, e deri te Shpresat U-21 e deri te Kombëtarja e madhe e trajnerit Edi Reja.

Emrat e dekadës së fundit që kanë lënë gjurmë në Fier dhe jo vetëm nisin nga Odise Roshi e me radhë, Kejdi Bare, Myrto Uzuni, Redon Mihana, Romeo Harizaj, Elion Sota etj.  Tradita e Apolonisë ka vijuar edhe këtë sezon. E madje në Fier krenohen me talentet duke qenë se skuadra nuk e arriti dot objektivin madhor rikthimin në elitë.

Harizaj në portë, Sota në mbrojtje e Mihana në sulm, nga Fier te Shpresat. Nuk është pak, pasi së shpejti ata do të mbushin arkën e klubit, ndoshta që këtë verë.

Harizaj e Mihana janë kërkuar nga Flamurtari e Kukësi, ndërsa nuk është çudi që laçjani të bëhet pjesë e Hajdukut të Splitit. Kurse Sota është një mbrojtës mjaft premtues që ka spikatur në Fier dhe ndonëse mjaft i ri tregon se është një futbollist me shumë perspektivë…

E.S./Vipsport.al/