Antonio Konten e tradhton njeriu më i besuar, zgjedh Skocinë para Interit

Antonio Konte shumë shpejt do të zbresë në fushën stërvitore për të përgatitur Interin për sezonin e ri. Por tekniku italian nuk do të ketë në këtë aventurë të re përkrah tij njeriun më të besuar që e ndiqte ngado, Anxhelo Alesion.

Ish-futbollisti i Juventusit ishte krahu i djathtë i Kontes që te Siena dhe më pas e ndoqi te Juventusi ku gjatë periudhës së pezullimit të teknikut për çështjen e basteve sportive, ishte ai që ulej në pankinën e bardhezinjve si trajner i parë. Alesio ishte zëvendësi i Kontes edhe te Italia, e më pas e ndoqi atë edhe deri në Londër në dy sezonet te Çelsi.

Por duket se pas aventurës angleze, palët kanë vendosur që rrugët e tyre të ndahen dhe Alesio ka zgjedhur që të vazhdojë i vetëm karrierën si trajner i parë. Ai ka zgjedhur një ekip jo shumë të njohur në fakt, pasi bëhet fjalë për Kilmarnok në kampionatin skocez të futbollit. Për më tepër, trajneri ka vendosur që të nënshkruajë një kontratë afatgjatë, duke firmosur atje për tre sezonet e ardhshme. /vipsport.al/