Analiza e Hafizit: Themi nuk kemi mbrojtje por ne nuk kemi sulm. Lojë e vjetruar, nuk ndërtojmë

Ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare, Astrit Hafizi, mendon se problemi kryesor i përfaqësueses shqiptare aktualisht është se nuk prodhon lojë e rrjedhimisht raste. Në “SuperSport” ai deklaroi se ekipi vazhdonte të shfaqte lojë të vakët ofensive, nuk prodhonte gjuajtje në portë e rrjedhimisht ishte larg fitores me Islandën.

“Edhe në Izrael nuk kemi luajtur keq, as në Skoci nuk luajtëm keq. Vazhdon i njëjti CD, mendoj unë. Ndoshta u përmendën pak rastet, por mos harro që në momente të tilla, skuadra humbet ekuilibër. Ne humbasim ekuilibrat në mesfushë dhe ndodh vazhdimisht, nuk jemi të gatshëm, duhet të jemi më strikt. Unë them diçka tjetër, më thuaj cili nga sulmuesit tonë ka depërtuar e ka bërë si ai numri 7 i tyre? Asnjë! Nuk e pamë vetëm sot, cili gjuajti në portë dhe e priti portier? Asnjë!

Nuk është e vërtetë që nuk kanë pasur raste, ata mund të bënin edhe të dytin në fund, edhe një tjetër që e futën topin në lojë gabim. Duhet të jemi realistë, me këmbë në tokë, ne nuk ndërtojmë lojë. Po nuk u fut stili i lojës së futbollit të avancuar, do të vuajmë përsëri, nuk bëjmë më shumë se 2-3 pasime se e luajmë menjëherë top të gjatë. Nuk është e kohës, nuk është moderne, ne vazhdojmë në këtë mënyrë prej kohësh. Ajo që themi ne është nuk kemi mbrojtje, por sulm nuk kemi. Janë veprime të vakëta sot. Por ndoshta duhet t’i lëmë mendimet për ndeshjet e tjera se ky trajner ka ende kohë për të njohur ekipin”, tha Hafizi. /vipsport.al/

more recommended stories