Alarmi i Mesit për Argjentinën: Tani nuk fitohet më me fanellë

Lionel Mesi vazhdon në misionin e tij të pamundur për të fituar diçka me Argjentinën. Sulmuesi ka dështuar në çdo turne ku ka marrë pjesë me ekipin kombëtar duke humbur 3 finale, mes të cilave edhe atë të Botërorit 2014. Në Kupën e Amerikës të këtij edicioni, me ekipin e tij si zakonisht mes favoritëve, fillimi ka qenë i tmerrshëm.

Si fillim erdhi një humbje përballë Kolumbisë e më pas barazim me Paraguain, i cili bëri që skuadra e tij të shohë nga vendi i fundit ndeshjen përmbyllëse të grupit, një situatë aspak e mirë për një ekip i cili mendohej se ishte rindërtuar me të rinj pas zhgënjimit në Rusi. Duket se Argjentina tashmë nuk frikëson më askënd dhe këtë e pranon edhe vetë Mesi.

“Kemi një ndeshje të fundit që luhet për kualifikimin. Do të ishte çmenduri të mos kualifikoheshim në një grup ku kalojnë tre skuadra. Kemi luajtur dy ndeshje e nuk kemi fituar asnjë. Për të kaluar në fazën tjetër ose duhet të fitojmë, ose duhet të fitojmë, nuk ka rrugë tjetër”, tha ai pas ndeshjes me Paraguain të mbyllur 1-1.

“Duhej të fitonim këtë ndeshje që të ishim të qetë, por e dinim që nuk do të ishte asgjë e lehtë për ne. Kërkojmë që të krijojmë një skuadër. Nuk është e lehtë të luash në Kupën e Amerikës. Edhe Brazili barazoi me Venezuelën. Sot askush nuk fiton më me fanellë, çdo ditë e më shumë futbolli po bëhet më i ekuilibruar”, tha Mesi. /vipsport.al/