Akuzat ndaj Ronaldos për përdhunim, portugezi thirret nga policia e Las Vegasit

Kristiano Ronaldos i janë rikthyer sërish telashet e akuzave të bëra pak kohë më parë nga Katrin Majorga në Las Vegas e cila pretendon se në qershorin e vitit 2009, është përdhunuar nga sulmuesi portugez. Ky i fundit dhe avokatët e tij kanë hedhur poshtë çdo akuzë duke u shprehur se janë vetëm shpifje, megjithatë hetimet ende nuk kanë përfunduar.

Ronaldo është kërkuar nga policia e Las Vegasit që të shkojë për të dhënë dëshminë e tij dhe për t’i marrë një kampion ADN-je në mënyrë që të avancojnë më tej hetimet. Këtë kërkesë të policisë, e ka neglizhuar Ronaldo që nuk ka pranuar të shkojë në Las Vegas.

Duke parë se Ronaldo nuk ka në plan të paraqitet në Las Vegas, autoritet kanë kërkuar ndihmë nga shteti italian duke shpresuar që Ronaldos t’i merret një kampion për të bërë analizat e ADN-së që mund të çojnë deri në zbardhjen e së vërtetës. /Erjon Allaraj-VipSport.al/