Agim Zeka në lëvizje, mesfushori i Shpresave drejt klubit më të çuditshëm në Portugali

Agim Zeka bëhet gati të kthehet përsëri Portugali, aty ku në fakt nuk kaloi dy sezone të mira për shkak të dëmtimeve. Futbollisti i përfaqësueses Shpresa, nuk ka arritur ende të hedhë hapin e rëndësishëm në karrierë, por ndoshta do të ketë mundësinë në këtë verë, pasi pritet të luajë në elitën e futbollit portugez me një klub të çuditshëm, por që i beson shumë të rinjve.

Pavarësisht eksperiencës së tij në klube si Varzim dhe Leiksoes në kategorinë e dytë portugeze, apo Fortuna Sitard në Holandë, Zeka vazhdon të jetë nën kontratë me Lilën, klub i cili e bleu nga Skënderbeu 3 vite më parë. Tashmë klubi francez pritet ta nisë atë drejt Portugalisë, për të veshur fanellën e Belenenses SAD në elitën e futbollit në këtë vend.

Zeka do të përfshihet në paketën e transferimit të Reinildo nga portugezët drejt Francës, ndërsa mediat iberike inistojnë se shqiptari është një nga tre emrat që i janë premtuar skuadrës më të çuditshme në Portugali.

Belenense SAD është ndarë një vit më parë nga klubi historik që mbante logon dhe trofetë e fituar ndër vite. Ai ka përfunduar te amatorët, ndërsa Belenense ku do të luajë Zeka, figuron si klub futbolli vetëm që nga 1 qershori 2018 dhe arriti të regjistrohej në kampionat duke marr vendin e atij të vjetrit i cili nuk kishte para për licencën. Për shkak të kësaj situate, ekipin tani e ndjekin vetëm qindra vetë në çdo ndeshje, ndërsa klubin e vjetër në kategorinë e pestë portugeze rreth 5 mijë tifozë për çdo sfidë. /vipsport.al/