Abuzonte me futbollistët e vegjël, 24 vite burg për ish-trajnerin e Southamptonit

Bob Higins, 66 vjeç, ish-trajner i sektorit të të rinjve të  Southamptonit dhe Peterborou, është dënuar me 24 vite e 3 muaj burg, pasi ka abuzuar seksualisht me futbollistët minorenë.

Ai e ka bërë këtë gjë 45 herë, duke abuzuar me 24 futbollistë të vegjël të dy skuadrave që ka drejtuar në periudhën 1971-1996. “Një manipulator, i cili ka abuzuar me pozicionin e tij. Të gjithë i besonin, pasi konsiderohej një trajenr i respektuar. Djemtë e vegjël e kishin si idhull dhe bënin gjithçka për t’i pëlqyer këtij trajneri”, – është shprehur gjykatësi Piter Krabtr.

Në fillim të viteve ’90, Higins ishte lënë i lirë pas akuzave të ngjashme dhe ishte kthyer të ushtronte detyrën e tij. Klubi i Southamptonit u ka kërkuar falje publikisht viktimave të abuzimit seksual nga ky trajner. / Vipsport.al