Zyrtare / Situatë kaotike në rajon, FIFA merr vendimin për Botërorin Katar 2022

Plani i FIFA-s për të ndryshuar numrin e pjesëmarrësve në Botërorin 2022, duke afruar zgjerimin në 48 skuadra të planifikuar për edicionin e vitit 2026, ka dështuar. Edhe pse Xhani Infantino po mundohej në të gjitha mënyrat që të shtonte numrin e pjesëmarrësve që të kishte mbështetje sa më të gjerë nga konfederatat e ndryshme, plani nuk është bërë realitet nga situata në rajonin ku zhvillohet aktiviteti.

Katari nuk mund të organzionte i vetëm një aktivitet të tillë, pasi nuk kishte infrastrukturën e nevojshme si sa i përket stadiumeve, ashtu edhe për çdo gjë tjetër që nevojitej për të pritur 48 skuadra dhe tifozët e tyre. FIFA kërkoi ndihmën e vendeve të rajonit, që aktiviteti të zhvillohej në bashkëpunim me ta. Por situata mes vendeve të rajonit dhe Katarit është shumë e keqe, me kriza të mirëfillta diplomatike të cilat shpesh kanë lënë të mendohej se mund të kishte edhe konflikte të armatosura në periudhën e aktivitetit..

Kësisoj, FIFA është detyruar të tërhiqet nga ideja për të organizuar aktivitetin me 48 skuadra dhe sot ka dalë me një komunikatë zyrtare për shtyp, duke konfirmuar këtë vendim. “Pas një procesi konsultimi të hollësishëm me përfshirjen e të gjithë grupeve të interesuara, u arrit në konkluzionin se në situatën aktuale propozimi për të zhvilluar aktivitetin me vendet fqinje nuk mund të realizohej tani. Si rrjedhojë Botërori 2022 do të mbetet siç ishte planifikuar në fillim, me 32 skuadra dhe asnjë propozim nuk do të bëhet në Kongresin e FIFA-s me 5 qershor”, shkruhej në njoftimin e FIFA-s. /vipsport.al/