Zyrtare/ Marrin fund zërat për merkaton, Inter rinovon me idhullin e tifozerisë

Interi i ka dhënë fund dilemave në lidhje me të ardhmen e mbrojtësit Milan Skriniar i cili me paraqitjet e tij ka rënë në radarët e shumë skuadrave dhe shihej si përforcim. Klubi zikaltër dhe mbrojtësi sllovak kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe kanë rinovuar deri në verën e vitit 2023.

Lajmi u bë i ditur nga vetë klubi zikaltër që nëpërmjet një komunikate për shtyp ka njoftuar se është arritur marrëveshja për këtë rinovim. Skriniar është kthyer në një idhull për tifozët e Interit duke qenë se shpesh herë me paraqitjet dhe deklaratat e tij ka bërë që të hyjë në zemrat e tifozëve.

Sezonin e parë, Skriniar ka luajtur të gjitha ndeshjet me fanellën e Interit duke qenë një nga më të dalluarit dhe shpesh herë në formacionin e javës, ndërkohë që edhe këtë sezon ka marrë vlerësimet më të larta nga faqet e ndryshme të statistikave. /Erjon Allaraj-VipSport.al/