Zyrtare/ Lipi bën prapakthehu, rikthehet te “dragonjtë” për të synuar Botërorin

Marçelo Lipi ka bërë prapakthehu vetëm 4 muaj pasi kishte dhënë dorëheqjen nga Kina, duke u rikthyer edhe njëherë tjetër në krye të stolit te “dragonjtë”. Trajneri italian që fitonte Kupën e Botës në vitin 2006 me të kaltrit, u largua nga Kina vetëm pak ditë pasi skuadra e tij u eliminua nga Kupa e Azisë.

Ka qenë vetë Federata Kineze e Futbollit ajo e cila ka konfirmuar se Lipi është rikthyer në krye të stolit dhe do të qëndrojë aty deri në fund të Botërorit Katar 2022, ku si objektiv kryesor ka kualifikimin e Kinës në këtë eveniment madhor.

Vetë Lipi pasi u largua nga Kina, shprehu dëshirën që të rikthehej në Europë në krye të një stoli nga skuadra evropiane por duket se nuk ka arritur të gjejë një mundësi të mirë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/