Zyrtare / Grizman i jep lamtumirën Atletikos: Ik në fund të sezonit, kërkoj sfida të tjera (VIDEO)

Antuan Grizman nuk do të jetë më pjesë e Atletiko Madrid pas përfundimit të këtij sezoni. “Divorcin” që përflitej prej ditësh e ka zyrtarizuar vetë sulmuesi me një video të publikuar në rrjetet sociale të klubit, ku ka bërë të qartë se në mbyllje të sezonit, një klub tjetër i cili mendohet se është Barcelona, do të paguante klauzolën e largimit të tij.

Nëpërmjet videos, Grizman shpjegoi se ishte një vendim i vështirë që kishte marrë për karrierën e tij, duke i shprehur falënderimin tifozëve të Atletikos për mbështetjen që i kishin dhuruar në gjithë këto vite.

“Kërkoj sfida të tjera dhe ndonëse më ka kushtuar shumë të marr një vendim kaq të komplikuar, është ajo që ndjej dhe për të cilën kam nevojë. Dua të falënderoj të gjithë për dashamirësinë që më keni dhënë në këto 5 vite ku unë kam fituar trofetë e mi të parë të rëndësishëm me një klub. Kanë qenë momente të pabesueshme që do të kujtoj përgjithmonë dhe e vërteta është që do t’i mbaj gjithmonë në zemrën time”, tha sulmuesi i cili një vit më parë rinovoi me madrilenët duke refuzuar ofertën e Barcelonës. /vipsport.al/