Zvicër / Lenjani e Sadiku titullarë në kampionatin e çudive, askush nuk e di kush shkon në Europë

Ndeshjet e sotme në kampionatin zviceran të futbollit kanë konfirmuar edhe një herë se po përjetohet një nga sezonet më të çuditshme të historisë së këtij aktiviteti. Dihet se Jang Bojz dhe Bazeli do të shkojnë në Ligën e Kampioneve falë dy vendeve të para në renditje dhe se Grasshopers ka rënë e Ksamaks do të luajë play-out. Por askush nuk di të thotë me siguri se kush janë ekipet që shkojnë në Ligën e Europës në verë.

Falë fitores së Bazelit në Kupë, tashmë vendi i tretë, i katërt dhe i pestë shkojnë në Ligën e Europës. Aktualisht vendin e tretë e mban Lucerna e cila mundi sot 3-2 Zyrihun në një ndeshje që pa në fushën e lojës katër futbollistë të përfaqësueses së Kosovës: Demhasaj, Voca, M. Kryeziu dhe Kololli. Vendi i katërt është i Luganos, i cili me Sadikun titullar barazoi 1-1 me Ksamaksin dhe humbi mundësinë që të siguronte që sot pjesëmarrjen në Europë.

Ndërkohë, vendi i pestë i përket St. Galën që mundi sot kampionët e Jang Bojz me shifrat 4-1. Sioni ku Lenjani ishte titullar në suksesin 3-0 ndaj Grasshopers mbetet gjithsesi në garë, pasi Thun u mund në shtëpi nga Bazeli me shifrat 2-1. Kësisoj, në javën e fundit të kampionatit, 6 ekipe nga 10 janë kandidate për një vend në Europë, pasi nga vendi i 3-të deri në të 8-tin, diferenca është vetëm 3 pikë.

Për më tepër, në rast se skuadrat kanë pikë të barabarta, për bazë merret golavarazhi i përgjithshëm dhe të gjithë parashikojnë goleada në sfidat e fundit. Sikur të mos mjaftonte kjo, UEFA ka në fuqi një vendim për përjashtimin një vit të Sionit nga Europa, gjë që bën edhe më të komplikuar çdo lloj llogarie e që garanton fishekzjarrë në këtë fundjavë në Zvicër. /vipsport.al./