Zgjerohet harta e futbollit, nga Tropoja në Rrëshen, jo vetëm basketboll e volejboll!

Infrastrukturës sportive në vend i është shtuar edhe ndërtimi i një stadiumi në qytetin verior të Tropojës, ndërkohë që së shpejti pritet që në Veri të ndërtohet një impiant edhe në Rrëshen. Për shkak të mungesës së një stadiumi Bajram Curri nuk ka pasur ekip futbolli deri tani.

Por kjo nuk i ka ndalur të rinjtë e këtij rrethi të ndjekin pasionin për futbollin dhe të nxjerrin në pah talentin e tyre.

Trajner aktual i Partizanit, Skënder Gega, apo sulmuesi i Kombëtares, Kristal Abazaj, ndonëse të rritur pa stadium në qytetin e tyre të lindjes, u bënë pjesë e rëndësishme e futbollit shqiptar, pa harruar edhe trajnerin e ri por mjaft të suksesshëm të Tërbunit, Oltion Kërnaja, që ka tentuar të ngrejë në të Dytën edhe ekipin e Valbonës pak vite më parë.

Për të ardhmen, të rinjtë e Bajram Currit do të kenë stadiumin e tyre të ri, ku mund të luhen edhe takime zyrtare, pasi ai është në një gjendja më të mirë edhe se disa fusha të licencuara të Kategorisë së Parë.

Për shkak të mungesës së një stadiumi dhe një ekipi futbolli, qyteti verior shquhej deri tani në sportet vendase për basketboll dhe alpinizëm. Po ashtu edhe në qytetin  Rrëshenit që përfaqsohet nga Mirdita në Kategorinë e Dytë në sezonin e ardhshëm do të ketë një stadium të ri, punimet në të cilin nisin së shpejti.

Erjon Saliu/Vipsport.al/