Zërat për Guardiolën lëvizin aksionet në bursë, Juventusi nën hetim

Zërat e shumtë se Pep Guardiola është një kandidat për të marrë drejtimin e Juventusit kanë bërë që vlerat e aksioneve të klubit italian në bursë të rriten gjatë ditës së sotme dhe kanë sjellë një hetim për këtë ngjarje. Gjatë pasdites këto zëra u cilësuan plotësisht të pabazuar dhe situata u kthye përsëri në normalitet. Por luhatjet e aksioneve të klubit italian kanë bërë që të lindin dyshime të mëdha mbi mënyrën se si përhapen lajme të tilla që i ndikojnë.

Që pas largimit të Alegrit aksionet e klubit kishin pësuar një rritje në total prej 8%, ndërsa çdo ditë qarkullojnë zëra për trajnerin e ri. Por ky i fundit, i Pep Guardiolës, ka bërë që aksionet të pësonin luhatje të madhe, duke u rritur ndjeshëm gjatë ditës së fundit.

Situata me informacione të cilat janë vlerësuar si të pavërteta sigurisht që krijon parregullsi, ndaj organi i monitorimit të bursës në Itali, “Consob”, ka filluar të analizojë tregtimin e aksioneve të klubit gjatë ditëve të fundit. Njëkohësisht, po kontrollohet edhe fluksi i informacioneve që po sjellin këto ulje-ngritje drastike dhe që janë në kundërshtim të plotë me tendencën e tregut në Europë ku thuajse të gjitha aksionet janë në rënie. /vipsport.al/