“Ylli” i Kukësit i jep Feronikelit titullin në Kosovë, përsëri zhgënjim për Josën

Skuadra e Feronikelit është shpallur kampione për herë të tretë në historinë e saj, duke mundur në ndeshjen e fundit të sezonit me shifrat 1-0 ekipin e Prishtinës. Skuadra e drejtuar nga Zekerija Ramadani triumfoi falë një goli të vetëm përballë bardhebluve të Josës, i cili përsëri nuk arriti të bënte të tijin trofeun më të lakmuar.

Ndeshja ishte e shumë e luftuar, por pa shumë emocione, pasi skuadrat prodhuan pak raste para portave, me dominimin më të lehtë të Feronikelit. Këtij të fundit i buzëqeshi fati në minutën e 73-të të takimit, kur një harkim në zonë i Ylli Hoxhës, një nga yjet e Kukësit të çudive në Europë disa vite më parë, nuk u devijua nga askush në zonë dhe përfundoi në rrjetë.

Suksesi solli titullin dhe bëri që të thyhej një rekord i ri në futbollin kosovar, pasi Feronikeli arriti kuotën e 80 pikëve në mbyllje të sezonit, si askush më parë. Tashmë kjo skuadër do të luajë në Ligën e Kampioneve, në turin paraeliminatore të turneut. Ndërsa Prishtina duhet të bëjë tifo për të, që ajo të fitojë edhe Kupën e Kosovës ku gjendet në finale përballë Trepça ‘89, që të mund të luajë në turin paraeliminator të Ligës së Europës. /vipsport.al/