Vitin e kaluar kushtonte 5 milionë euro, tani 60. Joviç zyrtarizohet javën e ardhshme te Reali

Real Madrid bëhet gati për të zyrtarizuar blerjen e parë të rëndësishme për sezonin e ri, një futbollist i cili pritet të jetë armë e rëndësishme sulmuese për skuadrën e drejtuar nga Zinedin Zidan. Në pritje të Eden Hazard, në javën e ardhshme klubi do të prezantojë Luka Joviç, yllin e ri të futbollit serb i cili ka mahnitur të gjithë me fanellën e Eintraht Frankfurt.

Gjithçka është shtyrë pas mbylljes së sezonit për faktin e thjeshtë se Eintraht luan këtë javë një ndeshje shumë delikate në kampionat ndaj Bajern Mynih. Sfida përmbyllëse e Bundesligës sheh ekipin e Joviç të luajë ndaj Bajern Mynih, në një ndeshje ku duhet fitorja për të siguruar vendin e katërt dhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Ndaj është vendosur që të mos bëhet asnjë zyrtarizmin këtë javë, ndonëse akordi mes palëve është arritur, për të mbajtur sa më të qetë ambientin në kampin gjerman.

Reali do të paguajë 60 milionë euro për lojtarin e ri, një shpenzim i jashtëzakonshëm duke llogaritur se vetëm një vit më parë futbollisti vlente 5 milionë euro, sipas përllogaritjeve të “transfermarkt”. Askush nuk e priste shpërthimin e tij me 27 gola në këtë sezon, aq sa Eintrahti pagoi vetëm 200 mijë euro për ta marrë në huazim nga Benfika dhe klauzola e blerjes së kartonit të tij ishte vetëm 7 milionë euro. Kjo shifër u pagua pak ditë më parë nga gjermanët që tashmë do të sigurojnë të ardhura të jashtëzakonshme nga shitja e 21-vjeçarit. /vipsport.al/