VIDEO/ Vllaznia lë pas sezonin më të errët në histori, nuk festojnë as ngjitjen në Superiore

Vllaznia ka lënë pas një sezon mjaft të errët në historinë e saj pasi për herë të parë i është dashur që të luajë në Kategorinë e Parë, duke përkuar edhe me 100 vjetorin e themelimit. Shkodranët e mbyllën sezonin me një fitore minimale ndaj Erzenit në javën e fundit të kampionatit, aty ku edhe morën trofeun e Kategorisë së Parë për Grupin A.

Shkodranët, duke ditur historinë që skuadra ka, kanë qenë të ndërgjegjshëm se ky trofe nuk mund të konsiderohet sukses dhe në stadiumin e boshatisur, e ka tërhequr trofeun Gilman Lika i cili e ka sjellë te futbollistët. Asnjëri prej futbollistëve, nuk e ka marrë trofeun për ta ngritur lart në shenjë triumfi ndërkohë që gjithçka është kaluar me një duartrokitje.

Vllaznia mbajti këtë sezon në Kategorinë e Parë një grup të rëndësishëm të futbollistëve të cilët qëndruan besnikë megjithëse një Kategori më poshtë, ndërkohë që në verë pritet që të ketë afrime të reja për të shmangur një tjetër sezon si ai i fundit në Superiore. /Erjon Allaraj-VipSport.al/